Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ndalimin e reperit nga Peja, Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti.
Sipas informacioneve paraprake, ai është vendosur në ndalim policor për 48 orë. Kjo masë është pjesë e procedurave standarde hetimore dhe i jep kohë Prokurorisë së Shtetit të Kosovës të shqyrtojë provat dhe rrethanat e rastit, për të vendosur nëse rasti do të procedohet më tej në gjykatë.
Mediat bëjnë të ditur se Gjesti dyshohet se ka shkuar te E.Sh, pronari i një kompanie muzikore, pas disa mosmarrëveshjeve që kanë ekzistuar më herët mes palëve.
Konflikti dyshohet të lidhet me një kontratë që Gjesti kishte nënshkruar me kompaninë në fjalë para se të hynte në spektaklin Big Brother VIP Kosova. Pas përfundimit të edicionit të tretë të këtij reality show, ai kishte kërkuar të shkëpuste kontratën, çka sipas burimeve ka sjellë përplasje mes palëve.
Rasti aktualisht është në fazën e shqyrtimit nga autoritetet përkatëse dhe pritet që në vijim të ketë më shumë informacione lidhur me zhvillimet e mëtejshme.









