Një 13-vjeçar është raportuar i zhdukur prej dy ditësh në Tiranë, duke shqetësuar familjarët dhe të afërmit e tij. Sipas informacioneve të para, i mituri me emrin Flavio është larguar nga banesa dhe që nga ai moment nuk është kthyer më, ndërsa familja nuk ka arritur të kontaktojë me të.
Të afërmit kanë bërë publik rastin në rrjetet sociale dhe kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për ta gjetur sa më shpejt. Ata shprehen se janë shumë të shqetësuar, pasi prej dy ditësh nuk kanë asnjë informacion mbi vendndodhjen e tij dhe nuk dinë nëse ai ndodhet në gjendje të mirë.
Sipas familjarëve, çdo informacion, sado i vogël të duket, mund të jetë i rëndësishëm për gjetjen e 13-vjeçarit. Ata u bëjnë thirrje qytetarëve që nëse e kanë parë Flavion në ndonjë zonë të Tiranës apo diku tjetër, të mos hezitojnë të njoftojnë menjëherë.
Kushdo që mund të ketë informacion për vendndodhjen e tij është i lutur të kontaktojë në numrin e telefonit: 069 354 6048. Familjarët shpresojnë që me ndihmën e qytetarëve dhe shpërndarjen e këtij apeli, 13-vjeçari të gjendet sa më shpejt dhe të kthehet i sigurt pranë familjes së tij.









