Një qytetar ka ngritur një shqetësim serioz ndaj bankës BKT, duke deklaruar se hakerat u kanë marrë paratë nga llogaritë bankare shumë qytetarëve. Sipas tij, karta bankare është përdorur për transaksione në Shkup, në një kohë kur familjarët e tij ndodheshin në Tiranë.
Portali Joq raporton se banka është kufizuar vetëm në rekomandimin për ndërrimin e kartës, pa dhënë asnjë përgjigje konkrete apo përgjegjësi për humbjen e shumave monetare.

Qytetari shprehet se ky rast ngre pikëpyetje të forta mbi nivelin e sigurisë në bankat shqiptare, duke e cilësuar atë si tejet të dobët. Ai sqaron se bëhet fjalë për kartën bankare të babait të tij, por thekson se edhe vetë është klient i kësaj banke dhe nuk ndihet i sigurt për fondet e tij.
Sipas denoncuesit, BKT po zvarrit zgjidhjen e problemit dhe po shmang përgjegjësinë, ndërkohë që shqetësimi kryesor mbetet mungesa e garancive për klientët në rast se paratë vidhen.
Ndërkohë, ditën e djeshme, BKT ka pranuar se disa karta janë klonuar përmes një bankomati në Tiranë, ku autorët kishin instaluar një pajisje kamerë. Sipas bankës, ky episod ka zgjatur vetëm rreth një orë dhe shkelja e sigurisë është konstatuar në kohë nga stafi, duke bërë që numri i kartave të prekura të jetë i kufizuar.
Gjithashtu, BKT ka bërë të ditur se të gjithë klientët që kanë rënë viktimë e këtij rasti do të rimbursohen plotësisht për humbjet e pësuara.









