Një zjarr i madh ka përfshirë mbrëmjen e sotme tregun e rrobave pranë rrugës “5 Maji” në Tiranë, në zonën e njohur si ish-Uzina “Dinamo”. Flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa fatmirësisht deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar.
Në vendngjarje kanë mbërritur disa mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë intensivisht për vënien nën kontroll të zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij në zonat përreth. Sipas informacioneve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë disa ambiente të tregut dhe duke shkatërruar dhjetëra tezga së bashku me mallrat e ekspozuara.
Shkaku i rënies së zjarrit ende nuk është përcaktuar. Megjithatë, përmasat e mëdha të flakëve dhe fakti që ngjarja ka ndodhur në një zonë me interes të lartë ndërtimor kanë ngritur dyshime për mundësinë e një zjarri të qëllimshëm. Autoritetet pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes pas përfundimit të hetimeve.









