Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se forcat amerikane kanë zhvilluar një operacion të gjerë ushtarak në Karakas, i cili, sipas tij, përfundoi me arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Në një deklaratë publike, Trump e përshkroi ndërhyrjen si “një operacion spektakolar”, duke theksuar se në të u angazhuan forca të fuqishme ushtarake nga ajri, toka dhe deti. Ai u shpreh se përmasat e këtij aksioni janë të papara prej dekadash, duke e krahasuar atë me operacione të mëdha të epokës së Luftës së Dytë Botërore.
Sipas presidentit amerikan, objektivi kryesor ishte një strukturë ushtarake e fortifikuar në qendër të kryeqytetit venezuelian, ku ndodheshin individë që ai i cilësoi si “kriminelë të rrezikshëm”. Trump theksoi se operacioni u autorizua drejtpërdrejt prej tij dhe se ushtria amerikane veproi me shpejtësi dhe precizion.
Duke folur nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, Florida, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të marrin përkohësisht drejtimin e Venezuelës, deri në realizimin e një tranzicioni që ai e përshkroi si “të sigurt, të kontrolluar dhe të qëndrueshëm”.
“Ne nuk do të lejojmë që Venezuela të rikthehet në kaosin e viteve të fundit. Deri në një tranzicion të plotë dhe të qëndrueshëm, SHBA do të garantojnë administrimin e vendit”, u shpreh Trump, pa specifikuar një afat kohor për përfundimin e këtij procesi.
Më herët gjatë ditës, forcat amerikane ndërmorën sulme ajrore në territorin venezuelian, ndërsa Trump njoftoi se njësitë speciale arrestuan Nicolas Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, duke i larguar ata nga vendi.
Operacioni, sipas burimeve zyrtare amerikane, u mbështet edhe nga njësi elitare të ushtrisë së SHBA-së, përfshirë Delta Force, dhe po cilësohet si një nga ndërhyrjet më të mëdha ushtarake amerikane në Amerikën Latine në vitet e fundit.












