Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur të pezullojë përkohësisht përpunimin e vizave të emigracionit për shtetasit nga 75 vende, mes tyre edhe Shqipëria. Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 21 janar dhe nuk përfshin vizat turistike, të cilat do të vazhdojnë të përpunohen normalisht.
Një zëdhënës i Departamenti i Shtetit ka sqaruar për Reuters se masa është pjesë e një rishikimi më të gjerë të politikave të emigracionit.
“Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij për të shpallur të papranueshëm çdo emigrant potencial që mund të përbëjë barrë për shtetin amerikan dhe të përfitojë nga fondet publike,” deklaroi Tommy Pigott, zëdhënës i ngarkuar me punë në këtë institucion.
Sipas tij, përpunimi i vizave për emigrantë nga këto vende do të mbetet i pezulluar deri në përfundimin e rishikimit të procedurave, me qëllim parandalimin e hyrjes në SHBA të personave që synojnë të përfitojnë ndihma sociale dhe përfitime publike.
Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka ndjekur një qasje të ashpër ndaj emigracionit, duke forcuar zbatimin e ligjeve përkatëse, shtuar praninë e agjentëve federalë në qytetet kryesore dhe nxitur tensione të forta si me emigrantët ashtu edhe me komunitete lokale.









