Policia e Vlorës ka çmontuar një “shtëpi bari” në Sarandë, pas një operacioni njëmujor të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës.
Sipas njoftimit zyrtar, ambienti i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike ndodhej në rrugën “Butrinti”, në katin e gjashtë të një pallati në zonën e njohur si “Turizmi”. Apartamenti ishte transformuar plotësisht, me instalim llambash ndriçimi dhe pajisjesh të specializuara, që shërbenin për rritjen e kanabisit në kushte të mbyllura.
Gjatë ndërhyrjes, uniformat blu kanë kapur në flagrancë një shtetas nga Tirana, i cili dyshohet se administronte aktivitetin e paligjshëm. Nga kontrolli në banesë u sekuestruan rreth 250 bimë kanabisi, disa në fazë kultivimi dhe disa të tjera në proces tharjeje.
Personat e përfshirë janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa apartamenti ku funksiononte “shtëpia e barit” rezulton në pronësi të një shtetasi nga Tepelena.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si pjesë e kësaj veprimtarie kriminale./shqiperiapost












