Moderatorja e njohur Sylvie Meis ndodhej me pushime gjatë verës së vitit 2023, kur persona të paidentifikuar hynë me forcë në banesën e saj, duke vjedhur çanta luksoze dhe bizhuteri me një vlerë që kap shifrën mbi 500 mijë euro.
Që në seancën e parë gjyqësore, njëri nga të pandehurit ka bërë një rrëfim të plotë lidhur me ngjarjen. Më 22 janar, ai u paraqit para Gjykatës së Lartë Rajonale të Hamburgut, në sallën 398, i akuzuar për vjedhje me thyerje në banesë, kryer në bashkëpunim.
Moderatorja Meis nuk ishte e pranishme në ditën e parë të gjyqit, pasi nuk ishte thirrur për të dëshmuar.
Gjatë paraqitjes në gjykatë, i pandehuri me inicialet M.U. u përpoq të mbulonte fytyrën duke përdorur ftesën e gjyqit, ndërsa fotografët ishin të pranishëm para nisjes së seancës. Avokati i tij mbrojtës ndërhyri duke ia ulur zarfin e verdhë mbi fytyrë dhe më pas e mbuloi atë me një dosje, në përpjekje për ta shmangur ekspozimin mediatik.









