Kur ishte hera e fundit që i kërkuat një chatbot-i me inteligjencë artificiale t’ju ndihmonte? Ndoshta për të ndërtuar një ese, për të analizuar të dhëna komplekse apo thjesht për të rregulluar një letër motivuese. Për shumë njerëz, inteligjenca artificiale është kthyer në një mjet të përditshëm pune dhe studimi. Por bashkë me lehtësitë që ofron, po lind edhe një debat i fortë: a po na bën kjo teknologji të mendojmë më pak?
Disa studiues paralajmërojnë se delegimi i detyrave mendore tek inteligjenca artificiale mund të dobësojë aftësitë tona të të menduarit kritik dhe zgjidhjes së problemeve. Një studim i publikuar së fundmi nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) tregoi se pjesëmarrësit që përdorën ChatGPT për të shkruar ese shfaqën më pak aktivitet në zonat e trurit të lidhura me përpunimin kognitiv, krahasuar me ata që punuan pa ndihmën e IA-së.
Jo vetëm kaq. Këta pjesëmarrës kishin vështirësi të kujtonin apo citonin pjesë nga esetë që kishin shkruar, duke ngritur shqetësime mbi ndikimin e kësaj teknologjie në procesin e të nxënit. Studiuesit e MIT theksuan se gjetjet e tyre ngrenë një “çështje urgjente” mbi rënien e mundshme të aftësive të të mësuarit.
Në një tjetër studim, Universiteti Carnegie Mellon në bashkëpunim me Microsoft analizoi përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale nga punonjës të sektorit të bardhë. Rezultatet treguan se sa më shumë besim të kishin përdoruesit tek mjeti, aq më pak përpjekje bënin për të menduar kritikisht vetë. Me fjalë të tjera, efikasiteti rritej, por angazhimi mendor binte.
Një tablo e ngjashme u shfaq edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku një studim i Oxford University Press zbuloi se gjashtë në dhjetë nxënës mendonin se inteligjenca artificiale kishte ndikuar negativisht në mënyrën se si kryenin detyrat shkollore.
Megjithatë, jo të gjithë ekspertët janë pesimistë. Dr. Alexandra Tomescu, specialiste e inteligjencës artificiale gjenerative, thekson se ndikimi i IA-së nuk është njëdimensional. Sipas saj, shumica e studentëve raportojnë se kjo teknologji i ka ndihmuar të zhvillojnë aftësi si zgjidhja e problemeve, kreativiteti dhe përsëritja e materialit. Por ajo pranon se për disa, IA e bën punën “tepër të lehtë”, duke reduktuar përpjekjen personale.
Debati bëhet edhe më i ndërlikuar kur futet në lojë arsimi. Profesori Wayne Holmes nga University College London paralajmëron për rrezikun e asaj që ai e quan “atrofi kognitive” – një dobësim i aftësive mendore si pasojë e varësisë nga teknologjia. Ai sjell shembuj edhe nga fusha e mjekësisë, ku përdorimi i inteligjencës artificiale ka përmirësuar performancën e disa profesionistëve, por ka dëmtuar të tjerët.
Sipas Holmes, ekziston rreziku që studentët të arrijnë rezultate më të mira në letër, por të mësojnë më pak në thelb. “Notat përmirësohen, por të nxënit përkeqësohet,” thekson ai.
Nga ana tjetër, përkrahësit e përdorimit të kujdesshëm të inteligjencës artificiale sugjerojnë që ajo të shihet si një ndihmës mësimor dhe jo si një zëvendësues i mendimit njerëzor. Në vend që të ofrojë përgjigje të gatshme, IA mund të shërbejë si një “mësues privat”, duke ndihmuar studentët të kuptojnë pyetjet dhe të strukturojnë mendimin e tyre.
Në fund, pyetja nuk është nëse inteligjenca artificiale duhet përdorur apo jo, por si duhet përdorur. Ekspertët bien dakord për një gjë: përdorimi i saj kërkon vetëdije, kontroll dhe një kuptim të qartë të kufijve të teknologjisë. Vetëm kështu ajo mund të shërbejë si një mjet që forcon, e jo zëvendëson, mendimin njerëzor.









