Shtrenjtimi i cigareve ka filluar të ndikohet në tregun shqiptar pas hyrjes në fuqi të rritjes së akcizës, të parashikuar nga ligji për taksat kombëtare.
Rritja e taksës ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në çmimin e paketave të duhanit, të cilat tashmë shiten më shtrenjtë në dyqanet e shitjes.
Sipas dokumentit të projektligjit, akciza për cigaret është rritur nga 7,500 lekë në 7,750 lekë për 1,000 fije, një diferencë prej 250 lekësh, që përkthehet në disa lekë më shumë për çdo paketë për konsumatorin.
Një rritje e ngjashme është aplikuar edhe për produktet alternative të duhanit. Akciza për duhanin elektronik dhe lëngjet “vape” është ngritur nga 18 në 20 lekë për mililitër, duke i vendosur për herë të parë nën një regjim më të ashpër fiskal.
Qeveria shpjegon se indeksimi i akcizës synon jo vetëm të rrisë të ardhurat e buxhetit, por edhe të frenojë përdorimin e duhanit, duke mbrojtur shëndetin publik.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se kërkesa mbetet e lartë. Importet e duhanit kanë arritur mbi 3,150 tonë, niveli më i madh i regjistruar deri tani.
Autoritetet parashikojnë që kjo masë do të sigurojë rreth 1 miliard lekë të ardhura shtesë gjatë këtij viti, ndërsa çmimet e cigareve pritet të vazhdojnë të rriten gradualisht edhe në vitet në vijim.









