Rreth 1.2 milionë persona nga e gjithë bota kanë marrë pjesë në testimin ndërkombëtar të IQ-së, i zhvilluar në dhjetëra shtete, me synimin për të matur nivelin mesatar të inteligjencës sipas vendeve.
Të dhënat tregojnë se në 84.8% të shteteve, mesatarja e IQ-së ka pësuar ndryshime më të vogla se 2 pikë nga viti në vit, çka dëshmon një stabilitet relativ të këtij treguesi në shkallë globale.
Por ku renditet Shqipëria në këtë klasifikim botëror?
Sipas statistikave të publikuara nga International IQ Test, Shqipëria pozicionohet në vendin e 19-të nga 137 shtete të përfshira në studim. Mesatarja e vlerësuar për vendin tonë është 101 pikë IQ, rreth 4 pikë më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Ky rezultat e rendit Shqipërinë si vendin me nivelin më të lartë të IQ-së në Ballkan dhe në rajon.
Pas Shqipërisë vjen Serbia, e renditur në vendin e 32-të me 99.8 pikë, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi pozicionohen përkatësisht në vendin e 45-të dhe 51-të. Bosnje dhe Hercegovina mbyll listën rajonale, duke u renditur në vendin e 67-të.
Vendet me IQ-në më të lartë në botë
Sipas rezultateve të testimeve, vendet aziatike dominojnë renditjen globale. Koreja e Jugut mban vendin e parë si shteti me IQ-në më të lartë në botë, e ndjekur nga Kina dhe Japonia.
Këto shtete njihen për investimet e mëdha në arsim, teknologji dhe kërkim shkencor, si dhe për ritmin e shpejtë të zhvillimit ekonomik dhe inovativ.
Në Evropë, rezultatet më të larta regjistrohen nga Rusia dhe Spanja, të cilat kryesojnë kontinentin për sa i përket mesatares së IQ-së.
Vendet me IQ-në më të ulët
Në fund të renditjes globale pozicionohen disa shtete të Afrikës dhe Azisë Juglindore. Sipas të dhënave, Ruanda, Timor Leste dhe Somalia renditen si vendet me IQ-në mesatare më të ulët.
Ekspertët theksojnë se këto rezultate lidhen ngushtë me faktorë si varfëria, qasja e kufizuar në arsim, konfliktet afatgjata, si dhe mungesa e investimeve në shëndetësi dhe zhvillim social.









