Një 43-vjeçar është arrestuar nga policia në Vlorë, pasi është përfshirë në sherr me një punonjës të Policisë Bashkiake gjatë kryerjes së detyrës.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:55 në rrugën “Rruga Mitaq Salati”, në lagjen “15 Tetori”. Konflikti ka nisur pasi punonjësi i Policisë Bashkiake i ka vendosur një masë administrative drejtuesit të mjetit për parkim të gabuar.
Pas vendosjes së gjobës, 43-vjeçari, i identifikuar me inicialet M. L., dyshohet se ka reaguar duke u përfshirë në sherr fizik me punonjësin e policisë bashkiake, 28-vjeçarin me inicialet S. N., i cili ishte duke kryer detyrën.
Menjëherë pas ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë në Vlorë ndërhynë dhe arrestuan në flagrancë 43-vjeçarin.
Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.









