SPAK ka dhënë detaje të reja lidhur me operacionin e zhvilluar mbrëmjen e 17 janarit në Tiranë, ku u goditën disa Call Center-a të dyshuar për mashtrime online ndaj shtetasve europianë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente, përfshirë banesa, zyra, automjete dhe garazhe, janë sekuestruar qindra pajisje kompjuterike, serverë, telefona, laptopë, karta SIM, dokumente, sisteme monitorimi dhe automjete. Mes mjeteve të sekuestruara ndodhet edhe një Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të aktivitetit kriminal.
Si funksiononte skema e mashtrimit
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, gjatë hetimeve është identifikuar një Qendër Thirrjesh e vendosur në Tiranë, në ndërtesën “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse. Nga kjo qendër, autorë të mirëorganizuar dyshohet se kanë mashtruar shtetas italianë dhe europianë, duke i bindur të investonin në kriptomonedha me premtime për fitime të shpejta.
Në realitet, paratë transferoheshin në portofole virtuale të kontrolluara nga drejtuesit e këtij aktiviteti të paligjshëm. Hetimet zbuluan se Call Center-i kishte ngritur edhe një strukturë sigurie, me kamera dhe persona që vëzhgonin ambientet nga jashtë për të sinjalizuar çdo rrezik të mundshëm.
Kullat luksoze dhe zhvendosja e pajisjeve
Në listën e objekteve të kontrolluara përfshihen edhe dy kulla luksoze në kryeqytet: “Atti Tower” dhe “Downtown One”, në Bulevardin Bajram Curri. Sipas SPAK, pas dyshimeve për ndërhyrje nga autoritetet, autorët tentuan të largonin pajisjet kompjuterike dhe të boshatisnin ambientet.
Falë veprimeve të shpejta të Byrosë Kombëtare të Hetimit, u bë e mundur gjurmimi i personave dhe automjeteve që po transportonin pajisjet drejt një ambienti tjetër me qira, ku u konstatuan pajisje të shumta elektronike, dokumente dhe materiale të dyshuara.
Arrestime dhe persona në kërkim
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë 8 persona, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 vëllezërit Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj.Ndërkohë, të paktën 28 objekte ku dyshohet se ushtrohej aktiviteti i Call Center-ave janë kontrolluar nga BKH dhe Policia e Shtetit.
Personat e arrestuar:
Remir Gjoligaj
Endri Gjata
David Qerimi
Elis Merkaj
Rentjan Peposhi
Odeas Kuqi
Hetimi dhe procedimi penal
Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal nr. 03/2026, për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik” dhe “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet përkatëse të Kodit Penal.
Hetimi nisi pas materialeve të dorëzuara nga gazetarët e emisionit investigativ italian “Le Iene”, të cilët kishin dokumentuar aktivitetin e dyshuar mashtrues, pas ankesave të qytetarëve italianë.
SPAK bën me dije se hetimet vijojnë për inventarizimin dhe analizimin e pajisjeve të sekuestruara, identifikimin e të gjitha viktimave dhe bashkëpunimin me autoritetet e huaja, duke theksuar se mashtrimet online përmes Call Center-ave mbeten prioritet në luftën kundër krimit të organizuar.









