Sipas vendimit të marrë, parkimi i dyfishtë i automjeteve, i cili deri më tani ndëshkohej vetëm me masë administrative gjobe, do të klasifikohet si vepër penale dhe do të dënohet me burg.
Relatori i mazhorancës, deputeti socialist Ervin Hoxha, sqaroi se ashpërsimi i masave synon rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Ai theksoi se parkimi në rresht të dytë pengon qarkullimin e mjeteve emergjente, shkakton bllokime të rrugëve dhe krijon rrezik serioz për këmbësorët. Sipas Hoxhës, këto ndryshime synojnë gjithashtu forcimin e efektit parandalues të ligjit penal dhe krijimin e një kuadri më të qartë ligjor për institucionet e zbatimit të ligjit, veçanërisht në situata emergjente.
Ndryshimet në Kodin Penal përfshijnë edhe dekriminalizimin e shpifjes, si dhe rritjen e mbrojtjes ligjore për gazetarët gjatë ushtrimit të detyrës. Sulmi, kërcënimi apo intimidimi ndaj një gazetari do të trajtohet njësoj si ndaj një punonjësi shteti, duke parashikuar dënime më të ashpra. Sipas Hoxhës, goditja e gazetarëve në detyrë do të dënohet me burg nga 1 deri në 5 vite.
Në të njëjtin komision u miratuan edhe ndryshime në ligjin për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se ndryshimet synojnë krijimin e një sistemi të ri elektronik për kontrollin dhe parandalimin e trafikut të paligjshëm të armëve.









