Një pecetë e vendosur në dorezën e derës së makinës suaj mund të jetë një sinjal se automjeti është vënë në shënjestër për vjedhje, prandaj këshillohet të kontaktoni menjëherë autoritetet.
Grupet që merren me vjedhjen e automjeteve po shpikin vazhdimisht metoda të reja për të depërtuar në to dhe, përpara se të veprojnë, kryejnë vëzhgime të detajuara duke planifikuar çdo hap me kujdes.
Për të rritur mundësinë e suksesit, ata shpesh “etiketojnë” makinën e përzgjedhur – një teknikë e ngjashme me atë që përdoret edhe në rastet e vjedhjeve të banesave.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, një nga mënyrat më të zakonshme për të shënuar një automjet është vendosja e një pecete në njërën prej dorezave të derës.
Në këtë mënyrë, pjesëtarët e grupit i sinjalizojnë njëri-tjetrit se makina është përzgjedhur si objektiv dhe se duhet të nisë mbledhja e informacioneve mbi rutinën e pronarit, vendet ku e parkon zakonisht dhe detaje të tjera.
Nëse peceta qëndron për një periudhë të gjatë në dorezë, kjo mund të tregojë se automjeti nuk përdoret shpesh, duke e bërë atë një objektiv më të lehtë për t’u vjedhur.









