Prej ditësh në opinionin publik po qarkullon ideja e krijimit të një qeverie teknike, e cila sipas disa zërave mund të drejtohet nga profesorja e teorisë politike, filozofja dhe autorja shqiptare me njohje ndërkombëtare, Lea Ypi.
Diskutimi nisi pas një shkrimi të publikuar nga Pamflet, me titullin: “A është rikthimi i Lea Ypit, një negociatë e Edi Ramës me ndërkombëtarët?”. Në artikull thuhet se kryeministri Edi Rama e ka promovuar figurën e Ypit në arenën ndërkombëtare, duke u dhuruar liderëve botërorë libra të saj të përkthyer në gjuhët përkatëse. Sipas autorit të shkrimit, ky veprim lexohet më shumë si sinjal politik sesa letrar.
Më tej, artikulli sugjeron se kjo lëvizje përkon me një periudhë delikate politike, kur brenda rrjeteve të lidhura me Soros u përkrah ideja e Erion Veliajt si pasardhës i Ramës. Në vitin 2024, gjatë vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë, kjo u reflektua edhe përmes takimit të tij me kryebashkiakun e Tiranës, ndërsa kryeministrit Rama iu përcoll mesazhi për të “hapur krahun”. Po atë ditë, sipas shkrimit, në SPAK përfundoi edhe letra anonime e Nesti Angonit, e cila më pas u pasua nga zhvillime të forta politike. Ndërkohë, viti 2025 shënoi një sukses të rëndësishëm për Lea Ypin në prezantimin e saj në tregun europian.
Por çfarë thotë vetë Lea Ypi për këto spekulime? A e sheh ajo veten të angazhuar drejtpërdrejt në politikën shqiptare?
E ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Ypi u shpreh se aktualisht është e fokusuar te puna akademike dhe librat e saj. Ajo tha se deri tani nuk e ka menduar veten pjesë të politikës aktive, megjithatë nuk e përjashton plotësisht këtë mundësi në të ardhmen.
“Mendoj se të gjithë jemi të përfshirë në politikë në një mënyrë ose tjetër, pasi ajo lidhet me pushtetin. Pushteti nuk ushtrohet vetëm përmes institucioneve. Unë, deri tani, nuk kam interes apo ambicie për të marrë vendime në kuptimin institucional. Ka shumë forma të tjera për të kontribuar në shoqëri dhe nuk është e thënë që një intelektual i mirë apo gazetar i aftë të jetë domosdoshmërisht edhe politikan i mirë. Aktualisht prioriteti im mbeten librat, shkrimi dhe komunikimi me lexuesit. Nuk dua as ta hap, as ta mbyll këtë derë”, – deklaroi Ypi.
Në të njëjtën kohë, emri i saj u përmend edhe nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët. Berisha e cilësoi Ypin si një shkrimtare të njohur, pa dhënë një qëndrim konkret për kandidaturën e saj, duke theksuar se një qeveri teknike duhet të ketë mbështetje të gjerë politike.
“I kam lexuar veprat e saj, por nuk mund të bëj komente të tjera. Ajo është një autore e njohur. Nuk kam informacion për pretendimet që përmenden. Një qeveri teknike duhet të jetë e besueshme dhe e pranuar nga të gjitha palët”, – u shpreh Berisha.
Duke folur për situatën politike në Shqipëri, Lea Ypi ngriti shqetësimin për mungesën e debatit ideologjik. Sipas saj, sot në vend nuk ekziston më ndarja klasike mes së majtës dhe së djathtës, pasi ideologjia dominuese është ajo e integrimit europian.
“Procesi i integrimit në Bashkimin Europian e bën politikën gjithnjë e më teknokratike. Nuk diskutohet mbi çështje themelore, por vetëm mbi afate dhe kritere për anëtarësim. Nuk ka debat për atë se çfarë përfaqëson Europa si projekt politik, dhe kjo e depolitizon jetën politike, sepse përgjigjet vijnë nga jashtë, nga vetë BE-ja”, – theksoi ajo.
Ypi nuk kurseu kritikat edhe ndaj forcave në pushtet, duke theksuar se partitë qeverisëse, si në Shqipëri ashtu edhe në vende të tjera europiane, shpesh janë të lidhura me tregjet financiare ndërkombëtare apo me grupe oligarkike vendase.
“Ato nuk zbatojnë politika të majta në kuptimin klasik, si rishpërndarja e pasurisë apo fuqizimi i sindikatave, ashtu siç do të pritej nga një e majtë socialdemokrate”, – përfundoi Ypi.
Në një moment kur emri i saj përflitet si mundësi për kryeministre të një qeverie teknike, Lea Ypi mbetet e qartë: aktualisht fokusi i saj është te librat dhe puna akademike, ndërsa politika mbetet një opsion i hapur për të ardhmen.











