33-vjeçarja Blerina Basha është vënë në qendër të vëmendjes pas dyshimeve se ka lënë të vetëm tre fëmijët e saj të mitur në banesën ku jetonin në Durrës.
Ngjarja u bë publike pas publikimit të një videoje nga ish-vjehrra e saj, ku shfaqen tre fëmijët e mitur brenda banesës. Në pamje, ajo komenton kushtet e shtëpisë dhe ngre pikëpyetje mbi kujdesin e nënës ndaj fëmijëve.
Sipas pamjeve të publikuara, banesa paraqitet në gjendje të rënduar, me rrëmujë dhe mungesë higjiene, ndërsa fëmijët dëgjohen duke thënë se nuk kanë ujë. Rrobat dhe sendet e shtëpisë janë të shpërndara në dysheme, ndërsa ambientet sanitare shfaqen të papastra.
Nga ana e saj, Blerina Basha ka reaguar, duke mohuar akuzat për braktisje. Ajo e ka cilësuar situatën si një kurth të inskenuar nga ish-vjehrra, duke deklaruar se kujdeset rregullisht dhe në mënyrë të vazhdueshme për fëmijët e saj.
Rasti mori fillimisht vëmendje në rrjetet sociale dhe më pas solli reagimin e institucioneve shtetërore, të cilat kanë nisur verifikimet përkatëse për të sqaruar situatën dhe për të garantuar mbrojtjen e të miturve.









