Kush është Celia Flores?
Celia Flores ka lindur më 15 tetor 1956 në Tinacillo, një qytet i vogël në veriperëndim të Venezuelës. Ajo vinte nga një familje e madhe dhe shumë e varfër, duke qenë një nga gjashtë fëmijët. Fëmijërinë e kaloi në kushte të vështira ekonomike, në një banesë modeste, ndërsa i ati punonte si tregtar ambulant.
Pas zhvendosjes së familjes në Karakas, Flores iu përkushtua arsimit dhe arriti të regjistrohej në fakultetin e drejtësisë. Pikërisht gjatë studimeve u njoh me Michael Moreno, i cili më vonë do të emërohej ministër i Drejtësisë në qeverinë e Nicolas Maduro.
Në fillim, ajo nuk shfaqi ambicie të forta politike. Punoi si stenografe në një komisariat policie, ku merrej me regjistrimin e dëshmive gjatë marrjes në pyetje. Në atë periudhë u martua për herë të parë me oficerin Walter Gavindia Rodríguez, me të cilin solli në jetë tre fëmijë.
Hyrja e saj në politikë erdhi pas trazirave të dhunshme në Karakas në vitin 1989. Flores iu bashkua lëvizjes së Hugo Chavez, të cilin e konsideronte një figurë heroike, dhe e mbështeti fuqishëm pas tentativës së dështuar për grusht shteti, që çoi në arrestimin dhe burgosjen e tij.
Me kalimin e kohës, ajo u bë pjesë e rrethit të ngushtë të Chavez dhe e shoqëroi në rrugëtimin e tij drejt pushtetit. Marrëdhënia mes tyre nuk mbeti vetëm në aspektin politik, por u kthye edhe në lidhje personale, në një periudhë kur të dy ndodheshin në prag divorci.
Në vitin 2007, Flores u zgjodh deputete dhe mori postin e kryetares së Asamblesë Kombëtare. Ndër veprimet e saj të para ishte emërimi i dhjetëra familjarëve dhe miqve në pozita shtetërore, duke shkaktuar akuza të forta për nepotizëm, të cilat ajo i shpërfilli.
Edhe raportimet për jetesën luksoze të të afërmve të saj, përfshirë udhëtime me avionë privatë, nuk duket se ndikuan në pozitën e saj politike.
Në vitet e fundit të qeverisjes së Hugo Chavez, Flores mbajti postin e ministres së Drejtësisë, ndërsa Nicolas Maduro shërbente si zëvendëspresident. Pas vdekjes së Chavez në vitin 2013, Maduro mori drejtimin e vendit dhe Flores mbeti pranë tij në qendër të pushtetit. Çifti u martua në korrik të po atij viti, duke forcuar njëkohësisht lidhjen personale dhe ndikimin politik në krye të shtetit venezuelian.









