Rasti i zhdukjes së Bleona Matës, një nga misteret më të dhimbshme dhe ende të pazgjidhura të shoqërisë shqiptare, ka hyrë në një fazë të re tronditëse. Avokati Idajet Beqiri ka bërë deklarata të forta publike, duke pretenduar se vajza është ende gjallë dhe se babai i saj mund të ketë rol në ngjarjen e rëndë
Në një intervistë televizive, Beqiri deklaroi se sjellja e të atit ndër vite ka qenë e ftohtë dhe pasive, çka sipas tij ngre dyshime serioze për përfshirje në këtë histori të errët. Avokati theksoi se mungesa e reagimit dhe interesit për fatin e vajzës e bën figurën e babait problematike në të gjithë këtë çështje.
“S’ka treguar asnjëherë interes real për fatin e vajzës. Për fat të keq, ai është pjesë e kësaj loje. Këtë e them me bindje të plotë. Hetimet do të vazhdojnë dhe shumë shpejt do të shkojmë në thelbin e kësaj historie. Babai del shumë keq në këtë situatë”, u shpreh Beqiri.
Avokati përjashtoi kategorikisht mundësinë që Bleona të ketë humbur jetën, duke paraqitur disa skenarë për mungesën e reagimit të saj për më shumë se 15 vite. Ai përmendi trauma të rënda psikologjike, frikë ekstreme, si dhe përdorimin e medikamenteve që mund të ndikojnë në kujtesë.
“Sipas meje, ajo është gjallë. Sot është 21 vjeçe. Është e pashpjegueshme që të mos ketë dhënë asnjë shenjë për nënën e saj. Në atë moshë, presioni dhe frika mund të kenë ndikuar rëndë në gjendjen e saj mendore. Nuk përjashtohet as ndikimi i barnave që fshijnë kujtesën. Kjo mbetet një enigmë e madhe”, theksoi ai.
Beqiri hodhi poshtë versionet alternative që janë përhapur ndër vite, duke i cilësuar si përpjekje për të mjegulluar të vërtetën. Ai mohoi pretendimet se vajza mund të jetë vrarë nga kafshë apo se trupi i saj nuk do të gjendet kurrë. Sipas tij, ka indicie se Bleona fillimisht ka jetuar në Greqi dhe më pas në Gjermani, ndërsa nënvizoi se hetimet nga SPAK do të çojnë zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërkohë, dhimbja e nënës së Bleona Matës, Bukurisë, ka shpërthyer sërish publikisht. Ajo u shpreh se 15 vite pa drejtësi e kanë shkatërruar emocionalisht dhe se personat që, sipas saj, kanë rrëmbyer vajzën duhet të ndëshkohen.
“Kjo dhimbje më djeg çdo ditë, por shpresa më mban gjallë. Besoj se një ditë do ta përqafoj sërish dhe do t’ia dëgjoj zërin”, tha ajo mes emocionesh.
Bukuria foli edhe për dëshmi të pathëna dhe frikë në komunitet, duke përmendur një automjet me targa Vlore që është parë ditën e zhdukjes së Bleonës, si dhe për heshtjen e gjatë të institucioneve. Sipas saj, nëse drejtësia do të kishte vepruar në kohë, kjo tragjedi nuk do të zvarritej për kaq vite.
Nëna e Bleonës ngriti akuza të drejtpërdrejta edhe ndaj babait të vajzës, duke theksuar se ai nuk e ka denoncuar kurrë zhdukjen e saj.
“U zhduk vajza dhe ai heshti. Unë denoncova, ai u tërhoq. Nuk e kuptoj si një baba nuk kërkon fëmijën e vet”, deklaroi ajo.
Rasti i Bleona Matës mbetet një plagë e hapur dhe një enigmë e rëndë për drejtësinë shqiptare, ndërsa deklaratat e fundit e bëjnë historinë edhe më të ndërlikuar dhe tronditëse.









