Andi Vokri rrëfen para hetuesve: “Nuk doja ta vrisja, situata më doli jashtë kontrollit”
28-vjeçari Andi Vokri, i akuzuar për vrasjen e 60-vjeçarit Petrit Ndou në Mamurras, ka dhënë dëshminë e tij paraprake para hetuesve, duke deklaruar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit dhe se nuk kishte qëllim vrasjen.
Sipas burimeve hetimore, Andi Vokri ka pohuar në komisariat se situata i ka dalë jashtë kontrollit gjatë konfliktit mes tyre.
“Nuk doja ta vrisja, ishte konflikt i momentit dhe situata më doli nga kontrolli”, mësohet të ketë deklaruar ai.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 00:40, në aksin rrugor Mamurras–Fushë Krujë, pranë mbikalimit të fshatit Bushnesh. Dyshohet se fillimisht mes dy drejtuesve të mjeteve ka pasur një konflikt verbal, i cili më pas ka përshkallëzuar në përplasje fizike, ku për pasojë ka humbur jetën 60-vjeçari Petrit Ndou.
Policia ka bërë me dije se Andi Vokri, banues në Thumanë të Mamurrasit, është arrestuar në flagrancë menjëherë pas ngjarjes dhe vijon të mbahet në ambientet e paraburgimit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të konfliktit.









