Një ngjarje e rëndë dhune është shënuar në fshatin Vjosë të Fierit, ku 46-vjeçari Altin Meçaj, emigrant në Gjermani, ka rënë pre e një sulmi brutal mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00. Shkak për konfliktin dyshohet të ketë qenë një pëlqim dhe një koment në rrjetin social Facebook, që Meçaj i kishte bërë motrës së një efektivi policie, Fredi Lamaj.
Sipas dëshmisë së tij, Altin Meçaj ndodhet aktualisht i shtruar në urgjencën e spitalit të Fierit, së bashku me babain e tij 76-vjeçar, i cili ka pësuar dëmtime serioze në kokë si pasojë e goditjeve. Meçaj pohon se pak para ngjarjes kishte marrë një mesazh kërcënues nga Fredi Lamaj, ku i shkruhej: “Nuk e di me kë je mpleksur”, ndërsa ndodhej në një lokal të fshatit.
Pas kthimit në banesë, ai tregon se dritat e shtëpisë janë fikur dhe më pas është thirrur me emër nga jashtë. Në momentin që ka dalë në oborr, është sulmuar nga disa persona dhe është goditur deri sa ka humbur ndjenjat. Sipas tij, në përpjekje për ta mbrojtur, është ndërhyrë edhe babai i tij, i cili është dhunuar po ashtu.
“Gjithçka nisi nga një like dhe një koment në Facebook. Kur dola nga shtëpia, më goditën menjëherë. Ishin të paktën tre persona. Vetëm njërin e njoha nga zëri. Më përsëriti të njëjtin kërcënim që më kishte dërguar me mesazh. Nuk e kuptoj si mund të ndodhë kjo për një pëlqim apo një koment, kur gjithçka mund të sqarohej me fjalë,” deklaroi Altin Meçaj, duke theksuar se komenti i tij kishte qenë thjesht një kompliment.
Nga ana tjetër, babai i tij, Ylli Meçaj, shprehet i tronditur nga ajo që ka ndodhur dhe kërkon drejtësi. Ai tregoi se djali kishte ardhur për pushime nga emigracioni dhe se sulmi i ka lënë të gjithë familjarët të shokuar.
“Kur dola jashtë pashë djalin pa ndjenja, të shtrirë në tokë, ndërsa e godisnin. U hodha për ta mbrojtur dhe më qëlluan edhe mua. U mbulova në gjak. Nëse nuk do të kisha dalë, djali im sot mund të mos ishte gjallë,” tha mes lotësh 76-vjeçari, duke kërkuar siguri për familjen dhe zbardhje të plotë të ngjarjes.
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit. Mësohet se çështja i ka kaluar për hetim Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore (AMP), pasi personi i denoncuar është pjesë e strukturave të policisë.









