Avokati Jordan Daci ka përjetuar një ngjarje të pazakontë në spitalin “Francez” pranë QSUT.
Sot u paraqita në urgjencën e spitalit Francez, pasi më ishte bllokuar veshi nga dylli dhe, përveç problemeve me dëgjimin, kisha edhe ndjesi ngufatjeje nga ajri.
Mjeku primar (që nuk u sqarua se kush ishte) nuk ndodhej aty, pasi na u tha se ishte ditë e diel. Ndërkohë, një mjeke specializante, e cila në bluzë kishte të shënuar mbiemrin LLESHI, më informoi se duhej bërë lavazh, por sipas saj lavazhin e kryen infermieret dhe jo ajo, ndërsa pajisje për vakum nuk kishte.
I shpjegova se, sipas asaj që kisha parë, pastrimi mund të bëhej edhe thjesht me ujë fiziologjik përmes shiringës, ose të paktën të ndërhyhej disi për të liruar ajrin, pasi po më shkaktonte shqetësime edhe në veshin e mesëm.
Ajo refuzoi, duke thënë se nuk mund të bënte asgjë pasi mund të shkaktohej traumë, duke argumentuar se kanali nuk është i drejtpërdrejtë etj. E pyeta nëse ishte mjeke, dhe ajo u përgjigj po. E pyeta sërish nëse ishte mjeke primare, por pranoi se ishte specializante.
Në këtë moment i theksova se nuk ishte mjekja primare. Në përfundim, ajo refuzoi çdo ndërhyrje dhe nuk bëri asgjë, duke deklaruar se rasti nuk përbënte urgjencë.
Duke qenë se mungonte edhe etika e sjelljes dhe ndjeshmëria që duhet të ketë një mjek, kjo situatë meriton të ndiqet institucionalisht. Këta pseudomjekë, ashtu si edhe pseudomjekët primarë që paguhen për të qenë në shërbim, por qëndrojnë në shtëpi, nuk duhet të lejohen të ushtrojnë profesionin në spitale publike.












