Publikimi i dokumenteve të reja të lidhura me çështjen e financierit amerikan Jeffrey Epstein ka rikthyer në vëmendje disa emra të njohur nga politika, arti dhe bota e showbiz-it.
Mes tyre përmendet edhe modelja shqiptare Misse Beqiri, emri i së cilës figuron në materialet e bëra publike së fundmi.
Sipas raportimeve të medias britanike The Sun, në dokumente përmendet një takim i zhvilluar në vitin 2011 mes Beqirit dhe Epstein, i cili më vonë do të përballej me akuza të rënda për trafikim dhe shfrytëzim seksual të të miturve.
Burime pranë modeles kanë deklaruar se ajo ka qenë në fillimet e karrierës kur ka pranuar takimin, pasi i ishin premtuar mundësi në fushën e modelingut. Sipas të njëjtave burime, ajo nuk kishte dijeni për të kaluarën penale të Epstein në atë periudhë dhe nga takimi nuk ka pasur asnjë situatë të papërshtatshme. Po ashtu, theksohet se ajo ndjen keqardhje për viktimat dhe beson se drejtësia duhet të vihet në vend.
Raportimet theksojnë se Epstein kishte shfaqur interes për modelen shqiptare, duke i propozuar një udhëtim me avion privat drejt Parisit për një aktivitet mode, si dhe duke i ofruar një automjet luksoz me vlerë rreth 100 mijë paund. Takimi i parë mes tyre thuhet se është zhvilluar në rezidencën e tij në Manhattan, një pronë luksoze me vlerë dhjetëra milionë paund.
Takimi kishte ndodhur vetëm pak muaj pasi Epstein kishte përfunduar një dënim prej 13 muajsh burg dhe një vit arrest shtëpie, pas një marrëveshjeje gjyqësore të vitit 2008 lidhur me sigurimin e një të miture për prostitucion. Sipas burimeve, Beqiri nuk kishte qenë në dijeni të këtij fakti në kohën e takimit.
Misse Beqiri u bë e njohur ndërkombëtarisht edhe si bashkëshortja e ish-portierit të Manchester United, Anders Lindegaard, me të cilin u martua në vitin 2016. Nga kjo martesë ata kanë një djalë.
Më pas, ajo pati një lidhje me Jake Hall, e cila përfundoi në vitin 2021. Nga kjo marrëdhënie ka një vajzë.
Një nga episodet më të rënda në jetën e saj mbetet vrasja e vëllait, Flamur Beqiri, i cili u qëllua për vdekje në prag të Krishtlindjes 2019 në Londër. Për këtë ngjarje, Anis Hemissi u dënua me burgim të përjetshëm, me një minimum prej 35 vitesh.









