Pasaportat janë dokumente zyrtare që u mundësojnë qytetarëve të udhëtojnë jashtë kufijve të shtetit të tyre. Megjithatë, në botë ekziston një pasaportë jashtëzakonisht e rrallë, e cila zotërohet nga vetëm rreth 500 persona. Bëhet fjalë për pasaportën e Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës.
Ky urdhër u njoh zyrtarisht në vitin 1113 nga Papa Paschal II dhe, pavarësisht se nuk ka territor apo tokë nën administrim, konsiderohet një subjekt sovran unik. Historikisht, Urdhri i Maltës është angazhuar kryesisht në ndihmën ndaj të varfërve dhe në mbrojtjen e besimit katolik.
Sot, Urdhri gëzon të drejta të veçanta ndërkombëtare: mund të nënshkruajë marrëveshje, të lëshojë pasaportat e veta, monedha dhe pulla postare, si dhe përfiton statusin e “ekstraterritorialitetit”, që i mundëson të funksionojë si përfaqësi diplomatike në Romë dhe në vende të tjera.









