Një aksident tragjik është regjistruar pak minuta më parë në zonën e Ura Dajlanit, në Durrës. Një automjet tip BMW X5 ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura, nga një lartësi e konsiderueshme, duke përfunduar poshtë saj.
Sipas të dhënave paraprake, një vajzë ka humbur jetën në vend, ndërsa drejtuesi i mjetit, një i ri, ka mbetur i plagosur rëndë. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit nga autoambulanca dhe ndodhet në gjendje kritike.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur nxjerrjen e të plagosurit nga automjeti i dëmtuar rëndë. Poshtë urës ndodhet një biznes, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të tjerë të përfshirë apo të lënduar.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Deri në këto momente, identiteti i viktimës dhe i të plagosurit nuk është bërë ende publik.









